Stadiumi i Klubit të Futbollit të Ferizajt pritet që së shpejti të pajiset me reflektorë modernë, një investim që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive gjatë orëve të mbrëmjes.
Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Klubit të Futbollit “Ferizaj”, Lulzim Abazi, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, ku ka njoftuar se stadiumi pritet të pajiset me reflektorë modernë, duke e cilësuar këtë si një investim të rëndësishëm në infrastrukturën sportive.
“Në emër të FC Ferizaj, shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë të sinqertë për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe në veçanti për Presidentin z. Agim Ademi, për mbështetjen dhe investimin e rëndësishëm në infrastrukturën sportive të klubit tonë. FC Ferizaj tashmë përfiton reflektorë modernë, të cilët do të mundësojnë zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive edhe gjatë orëve të natës”, shkroi Abazi.
Vendosja e reflektorëve pritet të sjellë një tjetër pamje për stadiumin e Ferizajt dhe të krijojë mundësi të reja për organizimin e ndeshjeve në mbrëmje.