Skot Karson ka fituar trofeun e tij të pestë që kur ai iu bashkua Mançester Sitit. Portieri veteran erdhi në “Etihad” fillimisht në formë huazimi, në vitin 2019. Por, 37-vjeçari ka luajtur vetëm 107 minuta futboll me ekipin e parë të Pep Guardiolës.
Gjatë kësaj kohe, ai ka fituar dy medalje të Premier Ligës, një Kupë FA dhe një Ligë Kampionesh. Por, të mërkurën mbrëma, ai i shtoi kabinetit të tij të trofeve edhe Superkupën e Europës, duke fituar praktikisht një trofe pothuajse çdo 20 minuta që ka luajtur. Karson ishte në stol në finalen e “Karaiskaki”-t të mërkurën, ndërsa Siti mposhti Seviljen 5-4 me penallti pas barazimit 1-1 në 90 minuta në Pire.
Portieri, i cili është zgjedhje e tretë mes shtyllave, pas Edersonit dhe Stefan Ortegës, u pa gjatë festimeve për trofeun e parë të Sitit në këtë kompeticion, duke tërhequr edhe vëmendjen e rrjetit. Një tifoz shkruante: “Skot Karson ka punën më të mirë në botë. Ky djalë vetëm po mbledh medalje për qejf”. Ndërsa një i dytë postoi në “Twitter”: “Një tjetër ditë, një tjetër medalje fituesi për Skot Karsonin”. Një i tretë shkruante: “A ka fituar Skot Karsoni më shumë trofe sesa ka luajtur ndeshje për Sitin?” Një tjetër komentoi: “Skot Karson po jeton ëndrrën”.
Por Karson e ka fituar Champions-in dy herë, me dy klube të ndryshme. Në vitin 2005 ai ishte portieri rezervë i Liverpulit gjatë rrugëtimit për në Stamboll, edhe pse ai luajti vetëm në një ndeshje, në fitoren në çerekfinale ndaj Juventusit atë vit. Duke fituar Ligën e Kampioneve me Mançester Sitin në qershor të këtij viti, Karson barazoi rekordin mahnitës të Paolo Maldinit, të 18 viteve diferencë mes triumfeve në Ligën e Kampioneve.
Karson ka regjistruar vetëm 2 prezenca për Sitin. Ai luajti 90 minuta të plota në fitoren 4-3 ndaj Njukasëllit në maj 2021. Pastaj veterani hyri në lojë për 17 minutat e mbetura të ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve kundër Sportingut të Lisbonës në mars 2022.
PANORAMASPORT.AL