Christopher Nkunku realizoi golin e tij të parë me fanellën e Milanit, në fitoren 3-0 ndaj Lecces në Kupën e Italisë.
Francezi u bë protagonist në një mbrëmje ku Rossonerët shfaqën dominim të plotë, edhe pse mysafirët mbetën me një lojtar më pak që në minutën e 19-të, pas përjashtimit të mbrojtësit gjerman Jamil Siebert.
Transferimi i Nkunkut nga Chelsea në gusht u pa si një lëvizje me rrezik. Sulmuesi kishte luajtur vetëm rreth 900 minuta në Ligën Premier sezonin e kaluar, për shkak të lëndimeve që i kushtuan 48 ndeshje të humbura me klubin dhe kombëtaren. Megjithatë, Milani investoi deri në 43 milionë euro, duke e bërë francezin blerjen më të shtrenjtë të verës.
Strategjia e kuqezinjve në afatin kalimtar ka ngritur pikëpyetje. Drejtimi i Igli Tares solli një kombinim mes lojtarëve të rinj premtues, si Samuele Ricci, Ardon Jashari, Koni De Winter dhe Zachary Athekame, por edhe emra me eksperiencë si Luka Modric (transferim i lirë) dhe Adrien Rabiot (7 milionë euro). Në total, Milani shpenzoi rreth 162 milionë euro, por shumëkush mendonte se skuadra nuk është përforcuar në mënyrë drastike.
Ndër të gjitha afrimet, Nkunku shihej si rreziku më i madh: një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm, por i prirë ndaj lëndimeve. Kujtojmë se Chelsea pagoi 60 milionë euro për të në vitin 2023, pas një periudhe brilante te RB Leipzig ku fitoi çmime të shumta individuale, përfshirë “Futbollisti i Vitit” në Bundesliga.
Tani, me golin e parë në fanellën kuqezi, duket se Nkunku po gjen besimin dhe formën. Suksesi i këtij transferimi do të varet nga qëndrueshmëria e tij fizike dhe mënyra si do të shfrytëzohet nga Milani, por mbrëmja ndaj Lecces mund të jetë vetëm fillimi i një kapitulli të ri për francezin në “San Siro”.