Bajern Mynih do të ketë shansin të marrë përkohësisht kreun në Bundesligë, nëse Shtutgarti kthehet me “këmbë në tokë” kundër Hofenhaimit, ndërsa kryesuesit e Bajer Leverkusenit do të vihen në provë ditën e dielën karshi Fraiburgut. Tomas Tuhel në prag të duelit me modestët e Darmshtadit ka dhënë lajmin e madh se Manuel Nojer do të zbresë në fushë për kampionët pas 350 ditësh.
Konkretisht takimi Shalke-Bajern, i datës 12 nëntor të vitit 2022, rezulton hera e fundit që kapiteni i bavarezëve ka mbrojtur kuadratin e kampionëve të Bundesligës.
Sporti i rrezikshëm i skisë koincidoi si një etapë e vështirë, por që për fatin e mirë të 37-vjeçarit, i mbijetoi thyerjes së këmbës dhe ditën e sotme do të jetë i gatshëm nga minuta e parë përballë Darmshtadit. Ka qenë vetë trajneri Tomas Tuhel, i cili ka dhënë aprovimin e vendimit që Nojer do të jetë sërish në portë.
“DEBUTIMI I KAPITENIT”- “Po, nëse edhe seancat e fundit shkojnë siç duhet, Manueli do të jetë i gatshëm. Ai mezi po e pret këtë çast, ashtu siç ne stafi, lojtarët, tifozët e Bajernit e më gjerë, pasi figura e Nojerit është mjaft popullore në botë. Përvoja që mbart mbi shpinë është e tjetër nivel dhe do të na nevojitet në vazhdimësi. Pres që numri ‘1’ në ekipit tonë të shijojë në maksimum rikthimin pas pritjes relativisht të gjatë”, tha me tone ta larta entuziaste Tuhel.
FORMACIONI DHE RIVALI- “Siç dihet, Daiot Upamekano e ka të pamundur prezencën si shkak i problemeve muskulore. Po ashtu Goreckës, Guerreiros dhe Gnabrit u duhet ende kohë mbi riaftësimin e plotë. Rivali nuk ka një strategji të qartë analitike. Ata me raste aplikojnë mbrojtje të zgjatur, në precedentë të ndryshëm e vendosin fokusin te loja agresive. Gjithsesi, ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë dhe të hedhim në fushe skemat e ndërtuar në stërvitje. Grupi është i motivuar dhe nuk kam frikë ta pohoj se jemi të pandalshëm”.
KRITIKAT E HAMAN- “Mesa po kuptoj, me gjithë respektin për Ditmar Haman, ai e ka humbur kontrollin, gjithsesi i falet. Nëse do të ishte personazh mjaft i rëndësishëm në kontingjentin tonë, do t’ia merrja fjalët për bazë, ama nuk është, kështu që të merret me diskutimet e veta”, përfundoi Tomas Tuhel.
Reagimi i ironizues prej trajnerit të Bajernit vjen pas kritikave të Hamanit, se filozofia e bavarezëve nën urdhrat e tekniku 50-vjeçar është mjaft e paqëndrueshme.
Ndërkohë Klaus Gjasula pritet të jetë titullar te ekipi i Darmshtadit.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL