Një nga ikonat më të mëdha të sportit kosovar, Nora Gjakova, ka hapur një kapitull të ri në karrierën e saj, këtë herë jashtë tatamit si garuese. Kampionia olimpike e Tokios 2020 ka nisur zyrtarisht rrugëtimin si trajnere në Federatën e Xhudos së Valonisë në Belgjikë.
Pas tërheqjes nga sporti aktiv më herët gjatë këtij viti, Gjakova i është bashkuar stafit të trajnerëve ku do të punojë krah për krah me Pedro Guedes, me synimin për të zhvilluar gjeneratat e reja të talentëve belgë. Dyshja njihen që më parë, pasi Guedes kishte një periudhë të shkurtër pune si trajner në Kosovë.
Nga maja e botës në një mision të ri
Gjakova mbetet një nga sportistet më të suksesshme që ka nxjerrë Kosova. Ajo kurorëzoi karrierën me medaljen e artë olimpike në “Tokyo 2020”, në kategorinë deri në 57 kilogramë. Përveç kësaj, ajo numëron medalje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë bronzin në Kampionatin Botëror në Budapest (2021), arin evropian në Tel Aviv (2018) dhe bronzin evropian në Lisbonë (2021).
Në kuadër të IJF World Tour, Gjakova ka fituar disa tituj Grand Prix dhe Grand Slam, me suksese të veçanta në Tbilisi dhe Baku, duke grumbulluar gjithsej 33 medalje në gara të nivelit botëror gjatë karrierës së saj.
Paraqitja e fundit e saj erdhi në Grand Slamin e Parisit në vitin 2025, një moment që shënoi edhe fundin e një epoke.
Vendimi për t’u tërhequr
“Pas Grand Slamit në Paris e kuptova se nuk doja të garoja më,” u shpreh Gjakova. “Fizikisht isha në gjendje të mirë, por mendërisht isha e lodhur. Nuk kisha më asgjë për të dëshmuar.”
Vendimi i saj erdhi pas një cikli të vështirë olimpik, ku përjetoi edhe një lëndim serioz vetëm pesë muaj para Lojërave Olimpike. Rikthimi në formë kërkoi përkushtim ekstrem, deri në gjashtë orë stërvitje në ditë, çka ndikoi ndjeshëm në aspektin mendor.
“Fillova të vë në dyshim gjithçka dhe e kuptova që nuk e doja më garën si më parë,” shtoi ajo.
Kalimi në rolin e trajneres
Hapat e parë drejt trajnerisë erdhën shpejt. Në janar, Gjakova vizitoi Belgian Open në Herstal me ftesë të federatës valone, ku nisën edhe bisedimet për bashkëpunim. Marrëveshja u zyrtarizua më 1 prill.
Tashmë, ajo punon çdo ditë me sportistët, duke përjetuar një ritëm të ri jetese.
“Trajneria kërkon shumë kohë, por tani kur kam kohë të lirë ndihem më e relaksuar. Si sportiste gjithmonë ka presion, ndërsa tani mund të jem më produktive edhe jashtë stërvitjes,” u shpreh ajo.
Besnike ndaj sistemit kosovar
Në rolin e saj të ri, Gjakova mbetet besnike ndaj filozofisë së zhvilluar nga mentori i saj shumëvjeçar, Driton Kuka, një sistem që i dha Kosovës kampione olimpike si Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi.
“Unë besoj në sistemin tonë. Fokusimi në teknikë, kapje dhe disiplinë është shumë i rëndësishëm. Jam strikte me sportistët për përgatitjen, por ndoshta edhe pak më e kuptueshme,” përfundoi Gjakova.