Lando Norris me McLaren fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Monako, zhvilluar në rrugët qytetase të Montekarlo, i vlefshëm për botërorin e Formula 1. Një fitore e merituar e pilotit britanik, që për herë të parë në karrierën e tij triumfoi në këtë pistë.
Ai e nisi garën nga “pole” dhe e mbylli në vendin e parë, por gjatë garës vuajti jo pak. Në vendin e dytë u rendit Charles Leclerc me Ferrari, që nuk arriti të triumfojë në shtëpinë e tij, para fansave që e mbështetën vazhdimisht.
Në podium, i treti, ngjitet edhe Oscar Piastri me makinën tjetër McLaren. Vetëm i katërti Max Verstappen me Red Bull, që udhëhoqi garën deri dy xhiro nga fundi. Ai shpresoi deri në fund për ndonjë aksident para se të ndërronte gomat për nherë të dytë.
Këtë vit, në Montekarlo ishte e detyrueshme që pilotët të ndalonin dy herë për gomat, por nuk pati shumë surpriza. Në vendin e pestë u rendit Lewis Hamilton me Ferrari, ndërkohë që zhgënjyen totalisht dy makinat Mercedes.
Në një pistë ku ishte e pamundur të parakalohej edhe ato shpresuan për aksidente e makinën e sigurisë për të ndërruar gomat, por pa sukses. Russell u rendit në vendin e 11-të dhe Antonelli në të 18-tin, pra pa marrë asnjë pikë.
Në zonën e pikëve, pas Hamilton, u klasifikuan Isack Hadjar (i gjashti), Esteban Ocon (i shtati), Liam Lawson (i teti), Alexander Albon (i nënti) dhe Carlos Sainz (i dhjeti). Piastri vazhdon të komandojë renditjen e përgjithshme të Formula 1.