Italia ka marrë frymë pas fitoreve ndaj Estonisë dhe Izraelit, por rruga drejt Botërorit 2026 mbetet shumë e ndërlikuar. “Azzurrët” e Gennaro Gattusos janë ngjitur në vendin e dytë të grupit, që siguron biletën për play-off, por diferenca me Norvegjinë duket e pakapërcyeshme.
Skuadra e Haaland-it shkatërroi Moldavinë dhe tani kryeson me 15 pikë e një golavarazh +21, ndërsa Italia, me një ndeshje më pak, është në kuotën e 9 pikëve dhe diferencë golash +5. Për të siguruar vendin e parë, Italia duhet të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë në një hap fals të Norvegjisë. Një tjetër opsion është përmirësimi i golaverazhit, por objektivi duket në kufijtë e një mrekullie.
Shpresat italiane lidhen me ndeshjen e tetorit, ku Izraeli do të përballet me norvegjezët, ndërsa dueli i 16 nëntorit në Romë mes Italisë dhe Norvegjisë pritet të jetë vendimtar. Deri atëherë, Gattuso duhet të përqendrohet te përmirësimi i grupit, i cili ka treguar forcë dhe karakter, por mbetet i brishtë në momente kyçe.
Nëse skenari nuk ndryshon, Italia do ta kërkojë kualifikimin përmes play-off-eve, të planifikuara për 26 dhe 31 mars. Një rrugë që historikisht ka sjellë më shumë zhgënjime se gëzime për kombëtaren “azzurre”.
Klasifikimi i grupit:
- Norvegji 15 pikë (+21)
- Itali 9 (+5)
- Izrael 9 (+4)
- Estoni 3 (-8)
- Moldavi 0 (-22).
Kalendari i Italisë:
11 tetor: Estoni-Itali
14 tetor: Itali-Izrael
13 nëntor: Moldavi-Itali
16 nëntor: Itali-Norvegji