Ruud van Nistelrooy u largua nga Manchester United pak ditë më parë, me emërimin e Ruben Amorimit si trajner i “Djajve të Kuq”. Në fund të bisedës mes të dyve, ish-sulmuesi holandez vendosi të largohej pasi kuptoi që nuk do të kishte një rol të rëndësishëm në stafin e portugezit.
Megjithatë, ai nuk duhet të qëndrojë i papunë për një kohë të gjatë. Sipas shtypit anglez, ish-asistenti i Erik ten Hag së shpejti do të emërohet trajner i Burnley-t, skuadër që ra nga Premier League sezonin e kaluar (me Vincent Kompany në krye) dhe sot luan në Championship, kampionati i dytë më i fortë në Angli.
Sipas “The Sun”, Van Nistelrooy tashmë kishte tërhequr interesin e Burnley-t në verë, por kishte vendosur të transferohej te Manchester United.
Entuziazmi u rishfaq pasi holandezi fitoi tri nga katër ndeshjet (dhe barazoi një tjetër) në të cilat u ul në stolin e United si trajner i përkohshëm pas largimit të bashkatdhetarit të tij.
Burnley, që aktualisht drejtohet nga anglezi Scott Parker, është në vendin e 4-t në tabelë pas 15 ndeshjesh, me katër pikë më pak (27) se kryesuesit Sunderlandit dhe Sheffield United (31).