Mauro Icardi vazhdon të befasojë. Pasi gjeti stabilitet te Galatasaray pas një fundi të trazuar te PSG, ish-sulmuesi i Interit po kalon një periudhë të vështirë, mes një dëmtimi në ligamentin kryqëzor të përparmë dhe meniskun e gjurit të djathtë, si dhe zhvillimeve të vazhdueshme rreth ndarjes me bashkëshorten e tij, Wanda Nara.
Maurito është kthyer në Argjentinë për procesin e rikuperimit dhe do të operohet atje, siç e ka konfirmuar edhe mjeku i klubit turk, Yener Ince. Ndërkohë, në Argjentinë po qarkullojnë shumë zëra për të ardhmen e tij, dhe sipas ‘Fanatik’, Icardi po mendon të rikthehet përfundimisht në Argjentinë për të qenë afër familjes së tij. Dhe, surprizë, edhe pranë Wanda Narës.
Ky lajm është shpjeguar nga gazetari argjentinas Diego Borinsky, i cili punon për Cadena 3 Argentina dhe La Nacion Deportes:
“Kam folur me persona të afërt me Icardin. Mauro dëshiron të rifitojë Wandan. Ai mund të heqë dorë nga fitimet e tij dhe karriera në Europë. Sot, meqë Wanda dhe vajzat e tij jetojnë në Buenos Aires, mënyra e vetme për të qenë pranë tyre është kthimi në Argjentinë. Kjo mund të nënkuptojë një transferim te River Plate, ndoshta në formë huazimi.”
E vërteta është se klubi argjentinas po kërkon të përforcojë sulmin e tij dhe duket vërtet i interesuar për Icardin, ndërsa thashethemet bëhen gjithnjë e më intensive. Por duke parë situatën kontraktuale të tij me Galatasaray-n (i lidhur deri në vitin 2026), kushtet e një transferimi te River Plate ende nuk janë të qarta. Megjithatë, interesi i Mauros për t’u kthyer në vendlindje ekziston.