Kristiano Ronaldo u ka dhënë një goditje të rëndë tifozëve të cilët shpresonin se ai dhe sfidanti i tij më i madh në karrierë, Lionel Mesi mund të rindezin rivalitetin e tyre edhe një herë, duke këmbëngulur se koha e tyre ka perënduar. Mesi dhe Ronaldo ndanë skenën për më shumë se një dekadë në majën e futbollit, kryesisht me fanellën e Barcelonës dhe Realit të Madridit, duke ndarë mes tyre 12 trofe të “Topit të Artë” për 13 vjet.
Transferimi i portugezit te Juventusi i dha fund përballjeve të tyre çdo sezon në vitin 2019, përpara se të vinte edhe transferimi në Arabinë Saudite në janar 2023 për CR7 dhe transferimi i Mesit te Inter Majami këtë sezon, duke bërë që për herë të parë ata të luajnë në dy kontinente të ndryshme. Firmosja e Mesit me klubin e Dejvid Bekhamit në MLS, u pa kryesisht si përfundimi i dominimit të futbollit nga kjo dyshe, dhe megjithëse ka ende një mundësi që ata të kryqëzojnë rrugët e tyre në skenën ndërkombëtare, një takim në nivel klubi tani nuk ka gjasa të ndodhë. 38-vjeçari ishte plot lëvdata për rivalin e tij të dikurshëm në konferencë të fundit për shtyp nga kampi luzitan, duke pretenduar se ata kanë një respekt të madh reciprok dhe komentoi se rivaliteti i tyre ishte një kënaqësi për tifozët në të gjithë botën.
“Urrejtje? Unë nuk i shoh gjërat në këtë mënyrë. Rivaliteti është zhdukur”, u përgjigj portugezi në vigjilje të ndeshjes me Sllovakinë, kur u pyet nëse tifozët të cilët adhurojnë atë duhet ta urrejnë Mesin. “Ishte një rivalitet i bukur, spektatorëve u pëlqeu. Ata që pëlqejnë Kristiano Ronaldon nuk duhet të urrejnë Mesin dhe anasjelltas. Ne kemi qenë të suksesshëm, kemi ndryshuar historinë e futbollit. Ne jemi të respektuar në të gjithë botën, kjo është gjëja më e rëndësishme. Ai ka ndjekur rrugën e tij dhe unë kam ndjekur timen, pavarësisht nëse luaj jashtë Europe. Nga ajo që kam parë, ai ka ecur mirë dhe unë po ashtu. Trashëgimia vazhdon, por unë nuk e shoh rivalitetin të tillë. Ne e ndamë skenën shumë herë, ishin 15 vjet.
Nuk them se jemi miq, nuk kam ngrënë kurrë darkë me të, por jemi kolegë profesionistë dhe respektojmë njëri-tjetrin”. Si Ronaldo ashtu edhe Mesi konsiderohen gjerësisht si më të mëdhenjtë që kanë luajtur ndonjëherë këtë sport, me këtë të fundit që i është bashkuar grupit ekskluziv të lojtarëve që kanë fituar Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës dhe “Topin e Artë” në dhjetor. Mes tyre ata kanë fituar rreth 79 trofe dhe janë dy të vetmit që kanë shënuar mbi 800 gola: Ronaldo shënoi të 850-tin të shtunën kundër Al-Hazm për Al-Nasr. “Është një pikë referimi historike”, tha Ronaldo për arritjen e tij. “Për mua janë një burim krenarie shifrat që arrita, të cilat nuk mendoja se mund t’i arrij. Por unë dua më shumë. Ndërsa luan futboll, steka duhet të qëndrojë lartë, të kesh objektiva të mëdha”.
Kristiano nuk u përfshi në listën me 30 finalistë për çmimin e “Topit të Artë 2023”, të shpallur të mërkurën në mbrëmje. Pasi e ka fituar atë pesë herë në të kaluarën (rekordmeni i dytë vetëm pas shtatë trofeve të Mesit), kjo është hera e parë në 20 vjet që legjenda portugeze është lënë jashtë kësaj liste. Ai tani po përgatitet për të udhëhequr vendin e tij në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Europianit. Skuadra e Roberto Martinezit do të përballet me Sllovakinë në Bratislavë sot, përpara se të kthehet në shtëpi për t’u ndeshur kundër Luksemburgut në Algarve. “Duam t’i fitojmë këto dy ndeshje. Nëse e bëjmë jemi praktikisht të kualifikuar”.
ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL