Mbrojtësi i Bajernit të Mynihut, Alfonso Dejvis, tregoi në një intervistë se ishte shumë pranë Barcelonës përpara se të transferohej te Bajerni i Mynihut.
Qëkur është bashkuar me kampionët e Gjermanisë për 22 milionë dollarë, Dejvis ka qenë një nga lojtarët më të mirë për Bajernin, duke u bërë gjithashtu dhe një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë.
Gjithsesi, çdo gjë mund të ishte shumë më ndryshe. Barcelona ishte shumë pranë Dejvisit, por 22-vjeçari u shpreh se ai u refuzua vetëm se ishte kanadez dhe kjo gjë e lëndoi atë.
“Barcelona shfaqi interes ndaj meje, por presidenti (Bartomeu) nuk më donte sepse isha nga Kanadaja. Të paktën kjo ishte ajo që u tha në media. Nuk e di nëse ai e tha vërtetë këtë gjë ose jo, por mua më theu ndjenjat”, ishin fjalët e Dejvis.
PANORAMASPORT.AL