E ardhmja e Federico Chiesas te Liverpooli mbetet e pasigurt, ndërsa disa klube të mëdha italiane po shqyrtojnë mundësinë e rikthimit të tij në Serie A.
Sulmuesi italian po përballet me konkurrencë të madhe në repartin ofensiv të Liverpoolit, gjë që ka ndikuar në hapësirat e tij për të luajtur nën drejtimin e trajnerit Andoni Iraola.
Përforcimet e fundit të skuadrës dhe paraqitjet e futbollistëve të rinj kanë bërë që 28-vjeçari të ketë gjithnjë e më pak mundësi për ta dëshmuar veten.
Sipas mediumit spanjoll Fichajes, Lazio, Interi dhe Atalanta janë ndër klubet që po e përcjellin situatën e italianit.
Megjithatë, pengesa kryesore për një transferim të mundshëm është paga e tij e lartë.
Sipas të dhënave të Capology, Chiesa përfiton rreth 160 mijë funte në javë, përkatësisht 8.3 milionë funte në vit, shumë kjo që mund ta vështirësojë rikthimin e tij në futbollin italian.
Nëse futbollisti pranon uljen e pagës, mundësitë për një transferim do të rriteshin. Në të kundërtën, ai mund të vendosë të qëndrojë në “Anfield” deri në përfundim të kontratës.
Chiesa ishte një nga protagonistët e Italisë në triumfin në Kampionatin Evropian 2020, ku u përfshi edhe në ekipin më të mirë të turneut.
Megjithatë, lëndimet e rënda, veçanërisht ai në gju gjatë periudhës te Juventusi, kanë ndikuar në vazhdimësinë e paraqitjeve të tij.
Mbetet të shihet nëse klubet italiane do të ndërmarrin hapa konkretë për transferimin e 28-vjeçarit apo nëse paga e tij do të vazhdojë të jetë pengesa kryesore për largimin nga Liverpooli.