Në “dinastinë” e 11 titujve radhazi në Bundesligë, ky i fundit ka lënë shijë të çuditshme, krahasuar me triumfet pararendëse.
Përveç disfatave, shkarkimeve dhe rrëmujave në shumë horizonte sportive, brenda dhe jashtë fushës, refuzimet morën përmasa apokaliptike në Mynih.
SULMI-Viktor Osimhen dhe Herri Kejn janë pikasur nga mediat pranë kampionëve të Bundesligës si personazhet e duhur për të ringritur Bajernin në shkallën më të lartë të Europës. Megjithatë, raportimet nga Italia dhe Angli u “fikën” shpresat bordit dhe tifozëve bavarezë. “Bild” ditën e djeshme ka dalë me njoftim surprizues mbi bazë të asaj që është cekur në media mbi aksin Londër-Mynih.
Kejn nuk u ka thënë jo rekordmenëve dhe pista për të gjetur gjuhën e përbashkët mes Hënesit si përfaqësues kryesor i Bajernit “të vërtetë” dhe Levit në pozitën e presidentit të “gjelat” janë në progres, madje me bisedime konkrete.
Totenhem nuk dëshiron ta shikojë yllin e ekipit të largohet me parametra 0 verën e ardhshme, po ashtu egoja e Levit për t’ia “dorëzuar” Mançester Juanjtidit në Premier Ligë, ndonëse sa e lartë mund të jetë oferta, nuk ekziston fraza “po” në “fjalorin” e shefit të “gjelave” londinezë. Kësisoj, zhvendosja në Gjermani ka marrë trajtën e së mundurës.
PËRPLASJA-Pas qetësimit të “ujërave” me shkarkimin rrufe të binomit drejtues Kahn-Salihamixhiç, treshja Hënes-Rumenige-Hainer i dhanë “fjalën” publikisht Tuhelit se do t’i linin dorë të lirë për të ndërtuar Bajernin në vazhdimësi, pra nuk do t’i ndërhynin në objektivat e transferimeve. Por “betimi” ka zgjatur më pak nga sa pritej.
“Bild” pohon se përplasjet kanë filluar në shtëpinë e rekordmenëve. Konkretisht Hënes dhe Rumenige kërkojnë me patjetër sigurimin e një bomberi në fazën ofensive, çka do të thoshte se kostoja për alternativat e tjera në reparte specifike do të pakësohej.
Ndërsa ish-tekniku i Dortmundit në periudhën 2015-2017 dëshiron përforcimin në ruajtjen e ekuilibrave. Rendimenti nga Gorecka nuk e ka bindur Tuhelin dhe në këtë situatë ai kërkon partner të duhur për t’i mbajtur “ison” Kimishit në zemër të mesfushës.
PANORAMASPORT.AL