Oblique Seville realizoi ëndrrën e tij duke u shpallur kampion bote në garën e 100 metrave në Tokio, me një kohë fantastike prej 9.77 sekondash. 24-vjeçari xhamajkan, i cili si fëmijë i kishte thënë nënës së tij se donte të stërvitej nga trajneri i Usain Bolt, Glen Mills, arriti suksesin më të madh të karrierës pikërisht nën sytë e legjendës Bolt, i cili e ndoqi nga tribuna dhe festoi si tifoz i zjarrtë.
Në një mbrëmje dramatike, Seville arriti të parakalonte në metrat e fundit bashkëkombësin Kishane Thompson, që e nisi garën furishëm dhe përfundoi i dyti me 9.82 sekonda. Kampioni olimpik dhe botëror, Noah Lyles, u desh të kënaqej me vendin e tretë dhe medaljen e bronztë me kohën 9.89 sekonda.
Ky triumf kishte shije të veçantë për Seville, i cili në dy kampionatet e mëparshme botërore kishte mbetur i katërti, duke humbur medaljen e bronztë për pak qindtat. Pas zhgënjimit të madh në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar, kur doli i fundit në finale pas një gjysmëfinaleje brilante, Seville u rikthye fuqishëm, duke provuar se është gati të udhëheqë brezin e ri të sprintit xhamajkan.
Një mbrëmje historike për atletikën xhamajkane: ‘dopietë’ ari dhe argjendi në garën më prestigjioze të botës.