Në prag të gjysmëfinales së Champions League kundër Atlético Madrid, kapiteni i Arsenal, Martin Odegaard, foli në një konferencë për shtyp: “Kjo është pjesa më e mirë e vitit. Jemi të gjithë të motivuar dhe të vetëdijshëm për atë për të cilën po luajmë”.
“Është një mundësi e shkëlqyer dhe gjithashtu duhet ta shijojmë. Jemi më të fortë se vitin e kaluar dhe kemi mësuar nga gabimet tona“, tha Odegaard, duke theksuar rritjen e ekipit krahasuar me përvojat e mëparshme.
Norvegjezi foli gjithashtu për udhëtimin e tij personal, të shënuar nga ulje-ngritje: “Ishte frustruese të isha në stol. Më pëlqen të luaj dhe të jem në fushë, por prapë u përpoqa ta ndihmoja ekipin nga çdo pozicion. Tani jam i lumtur që jam kthyer dhe jam në gjendje të kontribuoj”.
“Si mund të mos e shijosh këtë situatë? Ne luajmë në ligën më konkurruese në botë, jemi të parët në Premier League dhe në gjysmëfinalet e Champions League. Është diçka që e kam ëndërruar që fëmijë“, deklaroi kapiteni i “topçinjve”.
“Mësimet e së kaluarës mbeten, derisa të fitosh. Por ne duhet të jetojmë në të tashmen. Jemi në një pozicion të jashtëzakonshëm dhe duhet të qëndrojmë të përqendruar, ndeshje pas ndeshjeje“, deklaroi Odegaard.
Duke folur për Atletico, ai tha: “Ata janë shumë konkurrues, me një stadium dhe turmë fantastike. Do të jetë një betejë e madhe. Simeone ka ndërtuar një ekip që është gjithmonë ambicioz dhe i vështirë për t’u përballur.”