Një ekip nga ‘MARCA’ ka udhëtuar deri në Sherwood Content, fshat ku lindi legjenda e sprintit, Usain Bolt, për të parë nga afër pasojat shkatërruese të uraganit Melissa, stuhia më e fuqishme që ka goditur ndonjëherë tokën në historinë e Xhamajkës, dhe për të biseduar me nënën e kampionit.
Uragani Melissa goditi ishullin më 28 tetor dhe shkaktoi dëme të pallogaritshme: 45 viktima vetëm në Xhamajkë, 15 persona ende të zhdukur dhe një dëm kolosal ekonomik në një vend ku turizmi është shtylla kryesore. Vendi po përballet me sfidën më të madhe të dekadave të fundit.
Një rrugëtim i vështirë drejt Sherwood Content
Udhëtimi drejt fshatit të Bolt-it u kthye në një aventurë të vërtetë. Taksisti lokal që i shoqëroi gazetarët u përball me rrugë të bllokuara, pemë gjigante të rrëzuara, zona të përmbytura dhe kilometra të tërë natyre e ndërtimesh të shkatërruara nga erërat që kapën deri në 300 km/h. Interneti mungonte, hartat nuk funksiononin dhe në çdo kthesë mendonin se po largoheshin nga destinacioni.
Megjithatë, pas shumë pengesash, arritën më në fund në Sherwood Content. Pa parë ndonjë shenjë që të tregonte lidhjen me kampionin, ata pyetën një familje lokale për drejtimin. Përgjigjja ishte e papritur: “Familja e tij jeton aty pranë, shkoni trokitni.” Dhe kështu bënë.

Takimi me nënën e kampionit
Pasi trokitën në derën e shtëpisë së familjes Bolt, u pritën nga mbesa e Usain-it, e cila i udhëzoi të kërkonin nënën e tij në qendrën sociale të fshatit, ku po ndihmonte në punimet e rindërtimit.
Jennifer Bolt i priti me ngrohtësi. Ajo tregoi se i biri ka qenë vazhdimisht prezent në zonë që pas fatkeqësisë:
“Usaini jeton në Kingston, por ka ardhur shpesh për të ndihmuar. Shkolla në Martha Brae, ku ai është arsimuar, është dëmtuar shumë dhe tani shërben si strehë. Ai po punon që gjithçka të kthehet në normalitet dhe fëmijët të rikthehen në mësim”, – tha zonja Bolt.
Ajo foli edhe për rëndësinë që ka sporti për të rinjtë xhamajkanë, sidomos në momente të tilla të vështira:
“Fëmijët duan të bëjnë atë që shohin dhe është e rëndësishme që ta bëjnë këtë edhe në sport për të përmirësuar jetën e tyre. Jam mirënjohëse që e kanë djalin tim si idhull. Për ta është frymëzim dhe për mua është nder.”
Pas bisedës, Jennifer Bolt u kthye te puna e saj e palodhur në qendrën sociale, ndërsa gazetarët vazhduan udhëtimin për të parë nga afër gjendjen e fshatit që lindi “rrufenë” e Xhamajkës.
Ndjenja e përgjithshme ishte e qartë: Sherwood Content, ashtu si e gjithë pjesa perëndimore e Xhamajkës, ka një rrugë të gjatë për të rikthyer shkëlqimin. Por falë shpirtit të komunitetit dhe kontributit të figurave si Usain Bolt, shpresa mbetet e gjallë.


