Viktor Osimhen është kthyer në kohët e fundit në një emër shumë të diskutuar në merkato, jo vetëm për klubet e europiane, por edhe ato arabe, të cilat janë gati me oferta të çmendura për sulmuesin nigerian. Një rrogë yjesh si pakkush në botë, por edhe një ofertë e kënaqshme ekonomikisht për Napolin, linte të mendohej se futbollisti do t’i jepte lamtumirën kampionëve në fuqi të Italisë.
Por presidenti Aurelio De Laurentis, duket se ka vendosur të mbajë të paktën edhe një vit lojtarin, teksa sot ka bërë të ditur se Osimhen nuk do të shitet.
“Osimhen do të qëndrojë, ka kontratë edhe për dy vite të tjera, ku duhet të shkojë? Kontratat duhen respektuar nga të dy palët falë një raporti bilateral. Me Osimhen ky raport ishte që në ditën e parë dhe gjërat shkojnë mirë, Qëndroni të qetë”, ishin fjalët e presidentit sipas “Sky Sport”.
Mediat italiane kishin bërë të ditur se Al Hilal kishte çuar në 180 milionë euro ofertën për kartonin e sulmuesit, por De Laurentis i ka rezistuar tundimit dhe ka vendosur që të mbajë edhe një vit lojtarin, gjithmonë nëse arabët nuk bëjnë një ofertë të përmirësuar.
PANORAMASPORT.AL