Klubi më i ri i MLS-së thuhet se ka zhvilluar bisedime me Kevin de Bryjnen për një transferim të mundshëm të legjendës së Mançester Sitit me parametër zero.Mesfushori belg humbi pjesën më të madhe të sezonit të kaluar për shkak të dëmtimit dhe dukej i destinuar të largohej nga klubi në verë për t’u bashkuar me Karim Benzemanë në klubin saudit të Al-Itihadit. Në fund, lëvizja nuk u materializua, me belgun që vendosi të qëndrojë në “Etihad”, duke hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij, për të cilin nuk ka ende sinjale rinovimi. Megjithatë, lëndimet kanë vazhduar të pengojnë përfshirjen e 33-vjeçarit në skuadrën e parë të Pep Guardiolës këtë sezon dhe ai ka qenë i kufizuar në vetëm 12 starte në Premier Ligë në periudhën më të dobët të klubit që kur trajneri katalanas drejton klubin.
Të gjitha sinjalet duket se po tregojnë për një largim të lojtarit që tashmë ka hyrë në listën e legjendave të klubit, me Guardiolën që së fundmi i bëri thirrje kapitenit të tij që të jetë i sinqertë me veten në lidhje me të ardhmen e tij. Por klubi i fundit që i është bashkuar futbollit amerikan, San Diego, ka konfirmuar bisedimet me De Bryjnen: “Unë kam folur me menaxherin e tij, por për momentin rroga e tij nuk i përshtatet buxhetit tonë”, tha drejtori sportiv Tajler Hips.
PANORAMASPORT.AL