Skuadra e Oklahoma City Thunder vijon serinë e rezultateve pozitive, duke mposhtur me rezultat të thellë Los Angeles Clippers me shifrat 128-110. Pas fitores ndaj Lakers një ditë më parë, Oklahoma konfirmoi formën e saj të mirë edhe në këtë përballje dhe siguroi vendin e parë në Konferencën Perëndimore.
Protagonist i ndeshjes ishte Chet Holmgren, i cili realizoi 30 pikë dhe udhëhoqi ekipin drejt suksesit. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Shai Gilgeous-Alexander, që shtoi 20 pikë.
Në sfidat e tjera, Orlando Magic fitoi 132-120 ndaj Minnesota Timberwolves, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të lojtarëve të stolit, që realizuan plot 62 pikë.
Ndërkohë, Detroit Pistons konfirmoi vendin e parë në Konferencën e Lindjes duke mposhtur Milwaukee Bucks me rezultatin 137-111. Të gjithë lojtarët titullarë të Detroit shënuan mbi 10 pikë, me Jalen Duren që ishte më i miri me 21 pikë.
Fitore regjistroi edhe Phoenix Suns, që mundi Dallas Mavericks 112-107, në një ndeshje ku shkëlqeu Devin Booker me 37 pikë.
Në takimet e tjera, San Antonio Spurs mposhti Portland Trail Blazers 112-101, ndërsa Denver Nuggets fitoi 136-119 ndaj Memphis Grizzlies, me Jamal Murray që realizoi 26 pikë.
Po ashtu, Cleveland Cavaliers triumfoi 122-116 ndaj Atlanta Hawks, falë paraqitjes së mirë të Donovan Mitchell, autor i 31 pikëve.