Dani Olmo ishte një nga protagonistët surprizë në këtë europian për Spanjën. Mesfushori me tipare sulmuesi nuk ishte parashikuar titullar nga ana e trajnerit De La Fuente. Megjithatë, dëmtimi i Pedrit në ndeshjen ndaj Gjermanisë, bëri që Olmo të zbriste në fushë të shfaqte të gjithë potencialin e tij.
Kështu, 26-vjeçari që aktivizohet me Leipzig ka përfunduar në fokusin e klubeve më të mëdha të Europës si Bayern Munich, Barcelona apo edhe Manchester City. Vetë Olmo thekson se për të ardhmen e tij synon një klub që garon për trofe të rëndësishëm pasi ai vetë është shumë ambicioz.
“Kam disa opsione, megjithatë ata që kujdesen për të ardhmen time e dinë mirë se çfarë dua unë. Dua një klub që të më vlerësoj dhe më thelbësorja, unë dua të fitoj pasi jam një natyrë shumë ambicioze.
Për mua është gjithnjë shumë kënaqësi që emri im të lidhet me klube të mëdha”, u shpreh Olmo. Klauzola e cila e lejon Olmon të largohet nga Leipzig është me vlerën e 60 milionë eurove dhe është e vlefshme deri më datë 20 korrik.