Shefi i Interit, Giuseppe Marotta ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e rikthimit të Andre Onana te klubi, pas fillimit të vështirë të portierit në Manchester United.
Onana nënshkroi për Manchester United në një marrëveshje me vlerë 47.2 milionë funte gjatë merkatos së verës, pasi luajti teksa Inter Milan arriti në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar.
27-vjeçari u ribashkua me ish-trajnerin e Ajax Erik ten Hag në Premier League, por ka pasur një fillim makthi me një sërë gabimesh deri më tani.
Forma e Onanës ka kontribuar në një fillim zhgënjyes të fushatës për “Djajtë e Kuq”, të cilët janë në vendin e 10 në tabelën e Premier League dhe e kanë hapur kampionatin e tyre në Champions League me humbje të njëpasnjëshme.
Marotta u pyet për mendimin e tij për fillimin e Onanës dhe nëse kameruniani mund të rikthehet te Interi.
“Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, por në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Sigurisht, ishte një kapitull i mrekullueshëm për Onanën dhe për ne. Ishte gjithashtu një marrëveshje e suksesshme për të nënshkruar atë falas dhe për të shitur për ato para”, tha Marotta për Gazetta Dello Sport.
Ten Hag doli në mbrojtje të portierit pas humbjes 3-2 ndaj Galatasaray në fillim të këtij muaji, në të cilën gabimi i Onanës i dha skuadrës turke një rrugë për t’u kthyer në lojë. /Lajmi.net/