Sfida ndaj Udinezes mund të jetë e fundit në shtëpi për disa nga emrat më të përfolur të merkatos së ardhshme bardhezi. Dushan Vlahoviç dhe Randal Kolo Muani mund të mos jenë më pjesë e Juventusit sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi serb, pavarësisht se ka edhe një vit kontratë, pritet të largohet gjatë verës. Interesimi nga Premier Liga dhe Bundesliga nuk mungon, por pengesë mbetet paga e tij prej 12 milionë eurosh në sezon, shifër që bie ndesh me politikën e re financiare të klubit. Situatë tjetër për Kolo Muaninë, i cili ka treguar shenja rilindjeje nën drejtimin e Tudorit, por klauzola prej 40-45 milionë euro për blerjen e tij nga PSG konsiderohet e lartë.
Juventusi mund të negociojë për një çmim më të ulët. Ndërkohë, edhe dy portugezët Fransisko Konseisao dhe Renato Veiga pritet të largohen. I pari ka humbur vendin në formacion dhe nuk ka bindur për të justifikuar shifrën prej 30 milionë eurosh që kërkon Porto. E njëjta situatë vlen për Veiga, që për shkak të dëmtimeve dhe formës, nuk ka arritur të justifikojë kërkesën prej 50 milionë euro të Çelsit.
PANORAMASPORT.AL