Wednesday, 19. August 2026
Sport

Optimizëm dhe përkushtim në ditën e tretë të kampit

GS 14/01/2025 2 Min. Lesezeit

Dita e tretë e kampit stërvitor me futbollistët kandidatë potencial për Kombëtaren A të Kosovës, u karakterizua me punën intensive dhe angazhimin maksimal të lojtarëve.

FFK-ja, ka njoftuar të martën, se selektori Franco Fraco dhe stafi i tij, kanë vazhduar me përcjelljen e strategjisë dhe filozofisë së lojës te futbollistët, duke vendosur bazat për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

Stërvitjet gjatë këtyre ditëve ishin të fokusuara edhe në aspektet taktike, krahas aspektit fizik e teknik, duke ndihmuar lojtarët që të përshtaten me standardet dhe kërkesat e Kombëtares A.

Me të përfunduar stërvitja e së martës, disa nga lojtarët e grumbulluar, kanë shprehur emocionet dhe përshtypjet e tyre rreth punës dhe atmosferës në këtë kamp stërvitor.

Julind Selmonaj, anëtar i ekipit U21 të Baselit, u shpreh krenar që është pjesë e këtij kampi, duke shtuar se përvoja e fituar gjatë këtyre ditëve do t’i ndihmoj shumë në të ardhmen.

Edhe futbollisti i talentuar i Llapit, Elvir Gashijani, e vlerësoi kampin si një mundësi të shkëlqyer për të treguar aftësitë para selektorit Foda.

Ai u shpreh optimist se pas paraqitjeve në ekipet zinxhir të kombëtareve, do ta ketë mundësinë të tregoj vlerat edhe në Kombëtaren A.

Ndërkohë, për rëndësinë e këtij kampi, folën edhe Arianit Fazlija e Aulon Bitiqi. Fazlija aktivizohet me ekipin e dytë të Greuther Furth në Gjermani kurse Bitiqi është pjesë e skuadrës nga Suedia, Varbergs.

Kampi katër ditor, do të përfundoj të mërkurën, me stërvitjen e fundit, të cilën selektori Foda do ta mbajë në mesditë.

Teilen: