Orët e fundit të merkatos së dimrit, lëvizje te Partizani dhe Dinamo City
Dy nga klubet e kryeqytetit, Partizani dhe Dinamo City, kanë bërë lëvizje në këto orë të fundit të merkatos dimërore. Ndryshe nga Tirana, që i bëri shpejt lëvizjet e saj, me shumë largime e afrime, të kuqtë dhe blutë i kanë lënë goditjet për në fund.
Partizani, që më parë ka firmosur me ish-lojtarin e Kombëtares Kamer Qaka dhe afrikanin Sidibe, pritet të zyrtarizojë Laorent Shabanin dhe David Fadairon, që të dy sulmues krahu. Shabani, pjesë e Shpresave në të kaluarën, vjen për herë të parë në Shqipëri për të luajtur me fanellën e Partizanit.
Fadairo është një emër i njohur në Abissnet Superiore, pasi në gjysmën e parë të sezonit ka qenë pjesë e Teutës. Pas largimit nga durrsakët, ai menjëherë ka gjetur strehë te të kuqtë, të cilët kompletojnë kështu organikën në repartin e avancuar.

Lëviz më në fund edhe Dinamo City, që ka bërë “pazar” te Bylisi. Nën urdhërat e trajnerit Ilir Daja pritet që të vihen së shpejti mesfushori Malomo dhe sulmuesi Mustafa, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë goditje tjetër të minutës së fundit.
Gjatë merkatos së dimrit Dinamo City shiti mesfushorin Karamba Gassama në Turqi dhe mbylli bashkëpunimin me Fjoart Jonuzin. Tani duket se ka ardhur edhe momenti i përforcimeve.