“Si mund të mos jem i kënaqur? Kemi përqafuar risitë e IFAB-it, por ekipi im po bën një punë të jashtëzakonshme për të përshpejtuar lojën”. Kështu komentoi Daniele Orsato, përgjegjësi për caktimin e gjyqtarëve të futbollit italian në lidhje me qasjen e re të miratuar katër javë më pare.
“Duke ndjekur udhëzimet e FIFA dhe UEFA, ne ndërhyjmë me VAR vetëm në rastet e gabimeve të qarta dhe evidente. Numri i penalltive nuk do të varet nga ne, por nga faullet reale të kryera; penalltinë e parë e akorduam pas rishikimit në fushë, sepse ishte vendimi i duhur”, shtoi Orsato.
Më tej, ai tha: “Do të përpiqemi të bëjmë më pak gabime dhe t’i korrigjojmë ato kur ndodhin por spektakli duhet të jetë në plan të parë. Duhet të rrisim vetëbesimin e gjyqtarëve që ata të jenë më të fortë”.
“Sigurisht që punojmë mbi gabimet, por duhet të kesh guxim dhe të mos kesh frikë të gabosh, këtë ua them vazhdimisht fëmijëve të mi, jo vetëm gjyqtarëve. Nuk kam parë asgjë që nuk më ka pëlqyer. Kemi parë ndeshje të shkëlqyera, nga ato që e promovojnë futbollin italian jashtë vendit dhe lënë një përshtypje të shkëlqyer“, tha Orsato.