Pak ditë para nisjes për në Paris, atje ku Kosova do të përfaqësohet me nëntë sportistë në Lojërat Olimpike, presidentja e vendit Vjosa Osmani ia ka dorëzuar xhudistes Nora Gjakova flamurin e shtetit nën të cilin do të garohet me shtetet më të forta të botës në Francë.
Me këtë rast, Osmani tha se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune te pashoq që në shumë raste kanë punuar edhe në mungesë të kushteve elementare
Ajo siguroi atletët gjatë garës në Paris duhet ta kenë në mendje që i gjithë populli do të jetë në mbështetje të tyre dhe se zemra e çdo kosovari do të rrah për ta, derisa theksoi se këta atletë me fitoret e tyre do të sjellin fitore për të gjithë Kosovën dhe kjo do të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat e reja.
“Për Kosovën pjesëmarrja jonë në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune të palodhur, shumë vjeçare, përkushtimin dhe vendosmërinë e pashoq, nganjëherë edhe në rrethana jashtëzakonshme të sportistëve tanë dhe trajnerëve të tyre. Është dëshmi e qëndrueshmërisë së popullit tonë dhe aftësisë për tu ngritur mbi sfidat e për të shkëlqyer në skenën botërore…Ndërsa dilni në skenën globale mbani në mend se në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Siç e kam thënë edhe herën e kaluar, zemra e secili qytetar do të rrah bashkë me tuajën, një shtet i tërë qëndron me ju duke iu brohoritur me krenari dhe besim të plotë në aftësinë dhe punë tuaja”, tha Osmani.
Kurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se ky është një moment historik derisa Kosova merr pjesë për herë të tretë në Lojërat Olimpike. Ai tha se këto suksese të njëpasnjëshme janë rezultat i punës dhe pasionit të atletëve por edhe të trajnerit Driton Kuka.
Kurti theksoi se rruga drejtë Parisit nuk është e lehtë por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të pa imagjinuara.
”Të gjithë ju së bashku përfaqësoni ëndrrat dhe shpresat e Kosovës, ju jeni shembulli i asaj që mund të arrihet me punë të palodhshme, disiplinë dhe besim në vetvete. Rruga drejt Parisit nuk është e lehtë por e kemi dëshmuar se kur jemi bashkë jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë që na del përpara…Kur të dilni janë fushën e lojës në Paris, ta dini që të gjithë ne jemi me ju, e gjithë Kosova është me ju. Mos harroni se çdo hap që e bëni e çdo fitore që e arrini është një fitore për të gjithë ne”, theksoi Kurti.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se pjesëmarrja e Kosovës është manifestim i shpirtit luftarak kombëtar. Sipas tij, Kosova është e gatshme për ta shijuar një tjetër sukses të atletëve në Paris dhe atletët do të jenë heronj modern të vendit.
”Ne po shkojmë në Paris me një ekip të jashtëzakonshëm prej nëntë garuesve ku gjashtë prej tyre kanë fituar normat olimpike, një arritje që ndriçon si një yll i shëndritshëm në qiellin tonë, pesë prej këtyre yjeve janë nga xhudo dhe një nga boksi, duke treguar forcën dhe vendosmërinë tonë…Lojërat Olimpike janë një arenë ku ëndrrat bëhen realitet, ku sakrificat shpërblehen dhe ku shpirti njerëzor arrin kulmet e tij më të larta. Pjesëmarrja jonë në këto lojëra është më shumë se një garë, është manifestim i shpirtin tonë kombëtar”, deklaroi Krasniqi.
Frymëzim atletëve me fjalimin e saj iu dha kampionja olimpike Majlinda Kelmendi. Para tyre ajo tha se Kosova po i vazhdon sukseset e mëdha në sport edhe pas saj, derisa shtoi se në Paris ekipi po udhëton për medalje të tjera elitare.
“Iu dëshirojë shumë sukses sportistëve, ta shijojmë këtë eksperiencë dhe këtë udhëtim që kalon shumë shpejtë dhe që përfundon karriera e sportistit sepse realisht është e shkurtër, nuk kam besuar, mirëpo tani që e kam përfunduar karrierën po e shoh që sa momente të bukura kam pasur, çfarë emocionesh kam përjetuar që rrallë herë mundesh t’i përjetosh ato emocione diku tjetër, kështu që ta shijojmë dhe ta japim maksimumin”, tha Kelmendi..
Lojërat Olimpike në Paris do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht.