Topi i Artë, i krijuar në vitin 1956 nga revista France Football, ka qenë gjithmonë një nga çmimet më prestigjioze në futboll. Megjithatë, është e pamundur të mos vihet re se ky trofe ka humbur një pjesë të aureolës së tij që nga momenti kur rivaliteti mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit u zbeh.
Fillimisht i dedikuar vetëm pët futbollistët evropianë që luanin në Evropë, çmimi u hap për lojtarët jashtë Evropës në vitin 1995 dhe u bë universal në 2007. Ndërmjet viteve 2010-2015, FIFA u bashkua me France Football për dhënien e trofeut, duke kapur kulmin e rivalitetit mes Ronaldos dhe Messit. Ishin gjashtë vite – dhe në fakt një dekadë e tërë – ku çmimi dukej teknikisht i paarritshëm për të tjerët.
Në atë periudhë, çdo edicion i Topit të Artë ishte më shumë sesa një ceremoni: ishte një duel i hapur mes dy fenomenëve që ndanë futbollin botëror në dy kampe. Polemikat ishin të forta, por gjithçka kishte një qartësi: ekzistonte një çmim dhe vetëm një fron, të cilin ose e merrte Cristiano, ose Lioneli.
Pas ndarjes së FIFA-s nga France Football në vitin 2016, çmimet u dyfishuan – Topi i Artë dhe The Best FIFA – duke krijuar konfuzion tek tifozët. A ishin këto çmime për vitin kalendarik apo për sezonin sportiv? Kush votoi për meritë dhe kush për simpati? Pyetje që mbetën gjithnjë pa përgjigje të qarta.
Tani, pa garën e zjarrtë mes Ronaldos dhe Messit, atmosfera e ceremonisë nuk është më e njëjtë. Sigurisht, ‘yje’ të rinj dalin çdo vit, por pa atë duel epik që për më shumë se dhjetë vjet elektrizoi botën, Topi i Artë duket më pak magjik.
Sepse, të themi të drejtën: pa rivalitetin mes CR7 dhe La Pulga, ky trofe nuk ka më gjysmën e shijes që kishte dikur.