Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli, ku futbollisti i klubit të veteranëve KFV Barileva, Liridon Gubetini, ka humbur jetën pasi është rrëzuar papritur në fushë.
Sipas informacioneve fillestare, atij i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë lojës, duke humbur ndjenjat para se të merrte ndihmë. Dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një sulm kardiak, i cili rezultoi fatal.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë ekipet mjekësore, të cilat vetëm kanë konstatuar vdekjen e tij.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila bëri të ditur se viktima u rrëzua në tokë pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore gjatë aktivitetit sportiv.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar, derisa ka qenë duke luajtur në fushën e sportit, pa pritur i është keqësuar gjendja shëndetësore, është rrëzuar në tokë dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes,” thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet kompetente.
Raporti i plotë:
HETIM MBI VDEKJEN
Fsh. Dobrajë e Madhe, Lipjan 03.04.2026 – 17:35. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, derisa ka qenë duke luajtur në fushën e sportit, pa pritur i është keqësuar gjendja shëndetësore, është rrëzuar në tokë dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, rasti nën hetime./lajmi.net/