Tashmë është e qartë për të gjithë se Lautaro është lideri këtij Interi. Simone Inzagi ka vendosur një ekip të tërë mbi shpatullat e kapitenit të tij dhe rreziqet e kësaj varësie janë shumë të mëdha, pasi askush nuk e di çfarë do të ndodhte nëse argjentinasi do të detyrohet të ndalojë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër duke pasur parasysh ngarkesën e ndeshjeve.
Sikur të mos mjaftonte aktivizimi në 12 nga 12 ndeshje mes Serisë A dhe Ligës së Kampioneve, sulmuesi pritet të shtojë edhe më shumë minuta në këmbë me Argjentinën.
Kombëtarja ka në kalendar dy ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Botërorit dhe do të zbresë në fushë në shtëpi në mesnatën mes së enjtes dhe së premtes me orën europiane kundër Paraguait dhe javën e ardhshme midis së martës dhe të mërkurës së 17-18 tetorit do të luajë kundër Perusë në Lima.
FORMA – Lautaro ka humbur deri më tani vetëm 84 minuta për zikaltrit, ndërsa në 816 të tjerat që ka qenë në fushë nuk i ka munguar asgjë, pasi ka shënuar 11 gola ndërsa jemi ende në fillim te tetorit.
Më e mira për të do të ishte të shikonte ndonjëherë shokët e tij nga pankina, por rotacionet e Inzagit në sulm janë reduktuar gjithmonë e më shumë. Nuk është rastësi që në të vetmen ndeshje në të cilën u fut në pjesën e dytë arriti të ishte më vdekjeprurës se asnjëherë, duke realizuar 4 gola në Salerno.
Tashmë në kombëtare Lautaro do të ketë një dualizëm për sulmin me Julian Alvarezin, me Skalonin që duhet të zgjedhë nëse do të aktivizojë vetëm njërin apo të dy.
Sigurisht që Inzagi shpreson shumë që 26-vjeçari të mos shtrydhet dhe në kombëtare me 180 minuta, për më tepër që data e rikthimit në Milano është 19 tetori, vetëm 48 orë para ndeshjes me Torinon.
Pas barazimit me Bolonjën, është i ndaluar një tjetër hap fals, si për Interin dhe për kapitenin e tij të palodhur. Pas Torinos, zikaltrit do të ndeshin brenda një jave Salcburgun dhe Romën.
Më pas do të vijë Atalanta, transferta e Austrisë dhe Frozinone, ndërsa pas kthimit nga pauza e radhës e kombëtareve do të ketë tri takime të zjarrta: Napoli-Benfika-Juventus.
Për të përballuar këtë muaj ferri Interi do të ketë nevojë më së shumti për Lautaron që duke i marrë gjërat me radhë duhet ta nisë që nga Torino, edhe pse gjetja e kohës për t’u rikuperuar duket të jetë tashmë utopi.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL