Juventusi nuk e mbyll përplasjen ligjore me Cristiano Ronaldon. Sipas “Calcio e Finanza”, klubi bardhezi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Kasacionit kundër vendimit të Gjykatës së Torinos, e cila më 13 janar rrëzoi ankimimin e “Zonjës së Vjetër” ndaj vendimit të arbitrazhit në favor të ish-sulmuesit portugez. Rekursi u njoftua më 27 mars 2026 dhe tashmë pritet caktimi i seancës.
Në qendër të çështjes janë 9.8 milionë eurot e paguara Ronaldos. Konflikti lidhet me marrëveshjet për pagat gjatë pandemisë COVID-19. Ronaldo kërkonte rreth 19.6 milionë euro, por në prill 2024 trupi i arbitrazhit i njohu vetëm gjysmën e shumës, duke e detyruar Juventusin të paguante 9.8 milionë euro, plus interesat dhe rivlerësimin monetar.
Vendimi u mbështet te përgjegjësia parakontraktore e klubit, për shkak se marrëveshja mes palëve nuk u finalizua. Juventusi e pagoi shumën gjatë vitit financiar 2023-2024, por më pas e kundërshtoi vendimin në gjykatë.
Pas rrëzimit të ankimit në janar, klubi vendosi t’i drejtohet Kasacionit, duke kundërshtuar parregullsi juridike në vendim. Nga pikëpamja kontabël, procedura e re nuk pritet të sjellë pasoja të tjera negative, pasi 9.8 milionë eurot janë regjistruar tashmë plotësisht në bilanc. Çështja mbetet tashmë në planin gjyqësor.