Mirlind Daku vazhdon të shkëlqejë me Rubin Kazanin në Rusi, duke shënuar gola vendimtarë ndeshje pas ndeshjeje.
Sulmuesi shqiptar është bërë një pikë referimi për skuadrën ruse, duke ndihmuar me finalizime që përcaktojnë fatin e sfidave.
Së fundmi, Daku ka dhënë një intervistë ku thekson se realizimi i golave është detyra e tij kryesore dhe për këtë paguhet.
“Për të shënuar paguhem, dhe këtë po bëj,” – tha ai.
“Jam shumë i fokusuar, e marr çdo ndeshje me radhë dhe mundohem gjithmonë të jap maksimumin. Dua të ndihmoj ekipin dhe pse jo, të përmirësoj statistikat e sezonit të kaluar, sepse tani e njoh më mirë ligën dhe kundërshtarët.”
Në intervistë, Daku u ndal edhe te ndeshjet e ardhshme të Kombëtares Shqiptare, veçanërisht ajo ndaj Serbisë në tetor, një sfidë me peshë për kualifikueset drejt Botërorit.
“Na presin takime shumë të rëndësishme me Kombëtaren. Jemi ende në garë për të shkuar në Botëror dhe do të luftojmë deri në fund për ta arritur këtë objektiv.
Është një ëndërr dhe një dëshirë për secilin prej nesh dhe do të japim gjithçka për ta bërë realitet,” – u shpreh sulmuesi. /ATVLIVE.TV