Pajtim Qupeva me Audi A3 është fitues i garës së dytë në disiplinën auto sllallom për kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm.
Në garën e mbajtur të dielën në Sllatinë, anëtari i AMTKK deri te fitorja arriti me kohën e përgjithshme prej 03:04.677 minuta (01:32.533 dhe 01:32.144).
“Jam i kënaqur për fitoren e sotme. Ishte një garë e mirë, me organizim të mirë dhe mot të përshtatshëm.
Për fat edhe vetura punoi shumë mirë. Shpresoj që edhe në garat e ardhshme të vazhdoj me rezultate të tilla”, ka thënë Qupeva pas fitores.
Pozita e dytë në plasmanin e përgjithshëm, i takoi anëtares së AK Ferizajt, Arjeta Rysha, e cila garoi me BMW dhe në krahasim me fituesin ishte më e ngadalshme për 03.669 sekonda.
Në podiumin e fituesve u gjend Dion Muhaxhiri i AK Gjakova 137.
Muhaxhiri me Honda Civic Type R pati kohë prej 03:12.664 minuta.
Në plasmanin ekipor, në pozitën e parë u rendit AK Ferizaj me 60 pikë, pasuar nga AK Drenica me 39, Prishtina Racing Team 35, AMTKK 20, AK Gjakova 137 20 dhe AK Kaçandolli me 15 pikë.