Hernan Crespo nuk është më trajner i San Paolo. Ish-sulmuesi i njohur argjentinas mbyll kështu aventurën e dytë me ‘Tricolor Paulista’, pas eliminimit në gjysmëfinale të kampionatit kundër Palmeiras.
“Sao Paulo njofton shkarkimin e Hernan Crespo. Klubi vendosi të hënën të ndahet me trajnerin. Largohen edhe asistentët Juan Branda dhe Victor Lopez, përgatitësit atletikë Federico Martinetti dhe Leandro Paz, si dhe përgatitësi i portierëve Gustavo Nepote”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Kampion i shtetit të San Paolo në 2021-shin, Crespo e nisi eksperiencën e dytë në ‘MorumBIS’ në korrik 2025. E ka drejtuar skuadrën në 46 ndeshje, ku ka arritur 21 fitore, 7 barazime dhe 18 humbje.
Sipas informacioneve nga Brazili, më shumë se për rezultatet, Crespo ka paguar për disa vendime që nuk janë pëlqyer nga klubi. Një nga arsyet kryesore të shkarkimit ka të bëjë me programin stërvitor të ditëve të fundit. Drejtuesit nuk kanë qenë dakord me 3 ditët pushim të dhëna nga trajneri pas eliminimit nga kampionati Paulista.
Për më tepër, koha e stërvitjes nuk është miratuar nga klubi. Seanca e së enjtes, e fundit që drejtoi trajneri argjentinas, zgjati më pak se një orë. Kjo është një simptomë, sipas klubit, e lidhjes së dobët me skuadrën.