Palestra sportive e Istogut ka pësuar dëme te konsiderueshme vetëm tre vite pas përurimit të saj.
Erërat e forta kanë bërë që çatia e kësaj palestre të dëmtohet, gjë që ka quar deri tek dëmtimi i parketit dhe pjesëve të tjera pas hyrjes së ujit.
Pasi palestra është prishur në shkurtë dhe ende nuk ka filluar rinovimi i saj, dëmet janë të konsiderueshme.
Skuadrat e këtij qyteti nuk kanë ku të ushtrohen pas mbylljes së saj.
Trajneri i KHF Istogu, Faruk Shala ka thënë në një intervistë për lajmi.net se çatia është dëmtuar në muajin shkurt.
“Asnjëherë nuk ka përfunduar si duhet ndërtimi i saj. Shumë gjëra nuk kanë funksionuar kurrë, si pasoj e mosmirëmbajtjes dhe gjërave të tjera, por sidomos prej shkurtit kur është dëmtuar çatia, pra diku 10 muaj më parë. Ju vet mundeni me marr me mend se nëse futet uji për 10 muaj sa dëme mund të shkaktohen. Aq sa kushton me riparuar çatinë do të kushtojnë edhe gjërat e tjera. Palestra nuk mundet të jetë funksionale pa u bë një riparim i përgjithshëm”, tha ai.
Për shkak të mbylljes së palestrës Istogu detyrohet të udhëtojë larg për të mbajtur stërvitjet.
“Disa ndeshje i kemi mbajtur te palestra e ekipit kundërshtar, disa ndeshje i kemi zhvilluar në Pejë edhe pse distanca është pakë e largët”, shtoi Shala.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë. /Lajmi.net/