Paneli i Pavarur i Incidenteve të Ndeshjeve kryesore të Premier Ligës në Angli ka vendosur se vendimi i VAR-it për të pranuar golin e fitores së Njukasëllit ndaj Arsenalit, të shtunën e kaluar, ishte i saktë, por pranuan se gjyqtarët bënë dy gabime kryesore.
Fitorja 1-0 e Njukasëll Junajtid ndaj Arsenalit mbeti nën hijen e VAR-it, i cili doli në qendër të skenës kur Antonyi Gordon dërgoi topin në rrjetë.
Ndeshja u ndërpre që gjyqtarët të kontrollonin tre incidente të veçanta për golin e vendasve. Në pamje të parë, topi fillimisht dukej se ishte jashtë loje përpara se Xhoe Uillok të arrinte dhe ta harkonte në zonë, por VAR-i vendosi se kishte ‘prova jo bindëse’, përpara se të kontrollonte për një faull ndaj Gabriel Magalhaes.
Pasi kjo u konsiderua e ligjshme, gjyqtarët shikuan një pozicion jashtë loje të Gordon përpara se gjyqtarit Stjuart Atuell t’i jepej përfundimisht drita jeshile për të pranuar golin.
Pas vërshëllimës së fundit, trajneri Arteta u ankua ndaj VAR-it dhe Premier Ligës për mospërputhjet e tyre, duke pretenduar se ai ndihej “i turpëruar” që ishte një pjesëtar i kësaj lige.
Megjithatë, sipas ESPN, një rishikim i pavarur ka konfirmuar se gjyqtarët kishin të drejtë për vlefshëmërinë e golit të Njukasëllit ndaj Arsenalit.
Raporti pretendon se komiteti votoi 4-1 në favor të golit, duke deklaruar se “megjithëse Xhoelinton ka duart e tij te Gabriel, nuk ka mjaftueshëm kontakt për të dhënë një faull, pasi Gabriel kishte bërë një veprim për të luajtur topin përpara çdo kontakti”, ndërsa vendosi gjithashtu se kishte prova të pamjaftueshme për të mos lejuar golin bazuar në dy veprat faktike.
Megjithatë, paneli njëzëri ra dakord që Kai Havertz duhej të kishte marrë një karton të kuq për ndërhyrjen e tij të gabuar ndaj Longstaf në minutën e 36-të, duke thënë se ishte “një ndërhyrje shumë e rrezikshme dhe lloji i ndërhyrjes që duhet të zhduket”.
Ndërkohë, ata ranë dakord, me një vendim të ndarë 3-2, që bërryli i Bruno Guimaraes në kokën e Zhorzhinjos së Arsenalit në pjesën e parë duhet të kishte rezultuar gjithashtu në një përjashtim.
PANORAMASPORT.AL