Një debutim për t’u harruar për Leart Paqaradën, pasi mbrojtësi i majtë i Kosovës ka pësuar një lëndim të rëndë në ndeshjen e tij të parë me Heidenheimin kundër Borussia Dortmundit, të shtunën.
Vetëm pas shtatë minutash lojë, ai u detyrua të linte fushën, ndërsa skuadra e tij pësoi humbjen 2-0 në shtëpi dhe mbetet pa pikë në fund të tabelës së Bundesligës.
Kontrollet mjekësore kanë konfirmuar lajmin e keq: Paqarada ka këputur ligamentin kryqëzor të gjurit të majtë dhe në ditët e ardhshme do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Rikuperimi pritet të zgjasë disa muaj, duke e lënë jashtë fushe për një periudhë të gjatë.
Trajneri i Heidenheimit, Frank Schmidt, nuk e fshehu zhgënjimin e tij me lëndim e mbrojtësit që u bashkua këtë afat kalimtar.
“Ky është një lajm i rëndë për të gjithë, por mbi të gjitha për Leartin vetë. I urojmë shërim të suksesshëm dhe do ta mbështesim në çdo hap. Ne duhet të qëndrojmë më afër si ekip dhe të kompensojmë mungesën e tij me përgjegjësi kolektive”, deklaroi ai.
30-vjeçari iu bashkua Heidenheimit këtë verë nga Kolni dhe ka kontratë me klubin gjerman deri më 30 qershor 2027.
Ky lëndim e ndërpret brutalisht nisjen e aventurës së tij të re, ndërsa ai përgatitej të sillte përvojën dhe lidershipin e tij në skuadrën debutuese të Bundesligës.