Pothuajse tre muaj pas herës së fundit, Juve mbyll një ndeshje kampionati nën shenjën “X”. Por nuk duhet të flasim përsëri për “barazim të sëmurë”, së paku jo për tani, edhe pse asnjë skuadër nuk ka barazuar më shumë ndeshje se Juventusi në pesë kampionatet kryesore europiane në zhvillim (14, si Evertoni).
Por, nga 1-1 në “Olimpiko” kundër Romës, del një foto e një “Zonje” që ka humbur sulmin e saj dhe që golat për Ligën e Kampioneve përsëri vijnë nga reparte të tjera.
SULMI- Tudor kundër Ranierit ka konfirmuar Vlahoviçin që nga minuta e parë dhe Kolo Muani nga stoli, për të ribërë të qarta hierarkitë. DV9, i cili nuk shënon që nga 23 shkurti, ka luajtur 68 minuta dhe ka goditur vetëm një herë portën e Svilar, dhe e ka bërë këtë në pjesën e parë, kur ka gjuajtur (jo shumë mirë) një goditje dënimi nga 25 metra direkt në duar të portierit të Romës.
Pothuajse i pasuksesshëm, shumë pak i rrezikshëm. Dy prekje, 4 duele ajrore, por 15 topa të humbur dhe 33 topa të luajtur, një e treta e atyre të Kalulus. Megjithatë, Tudor ka thënë përsëri vetëm fjalë të bukura për numrin 9 të tij: “Më pëlqeu mënyra se si mbrojti topin, luftoi”. Kolo Muani, “i pangopur” që nga 7 shkurti, ka luajtur 22 minuta dhe ka konfirmuar se kur nuk është titullar, ka vështirësi të mëdha për të pasur ndikim gjatë lojës. Pas një fillimi të lavdërueshëm, ka dhënë shumë pak, pothuajse asgjë tjetër. Në ato 22 minuta në fushë në Olimpiko ai ka humbur 3 topa, ka bërë 2 faulle dhe ka luajtur vetëm 9 topa. Gjuajtje në portë? Asnjë. Një fantazmë.
CHAMPIONS- Sulmues të padukshëm, veçanërisht ata që janë afër lamtumirës. Të gjithë të ftuar të arrijnë një objektiv për të cilin më pas nuk do të luajnë. Tani janë në Torino dhe duke parë rolin, prej tyre priten golat që mund të çojnë Juven në vendin e katërt, por vitin e ardhshëm jo detyrimisht do ta luajnë. Ose të paktën jo të gjithë. Vlahoviç është në fund të rrugës, Kolo Muani është vetëm në huazim dhe do të shihet nëse Juve dhe PSG-ja do të ulen përsëri në një tavolinë për të parë si ta mbajnë francezin në Torino.
Dhe pastaj është Milik, i zhdukur prej muajsh dhe që, pa dyshim, do të largohet. Tri sulmues, prej të cilëve dy po thonë lamtumirë dhe një tjetër, qëndron ende për t’u konfirmuar. Paradoksi i sulmit fantazmë të “Zonjës” është pikërisht ky, Juve ka nevojë për gola për vendin e katërt, sulmi është nën vëzhgim dhe (përkatësisht) protagonistët që priten të çojnë në Champions janë tre sulmues me valixhen në dorë.
PANORAMASPORT.AL