La Liga nuk i ka ndezur mirë motorët, ku janë konsumuar vetëm 3 javët e para nga 38 gjithsej. Por për parashikuesit statistikorë kaq mjafton që diferencat e para të shënohen. Sipas “Opta”-s, Reali i Madridit është kandidati numër një për të ngritur trofeun në Spanjë majin e vitit 2024.
Duke i kushtuar vëmendje të dhënave të “Opta”- s, Reali ka 75.7% shanse për të fituar La Ligën. Përqindja për të qenë i dyti reduktohet në 18.1 , ndërsa vendi i tretë është shumë i largët, pasi kompania e të dhënave i jep vetëm 5%.
Në këtë tabelë nuk ka shumë surpriza. Barcelona ka 14.7% shanse për t’u shpallur kampione, ndërsa shifrat për Atletikon e Madridit për të fituar titullin janë reduktuar në vetëm 8.6%. Edhe në kompaninë “Betfair”, Reali i Madridit është gjithashtu favorit i madh për ta mbyllur në vendin e parë. Skuadra “blaugrana” del e dyta dhe e treta, me më shumë distancë mes tyre vjen Atletiko e Madridit.
GARA PËR EUROPËN – Nëse i kushtojmë vëmendje “Opta”-s, Reali i Madridit, Barcelona dhe Atletiko e Madridit do të ndajnë tri vendet e para, megjithëse pjesa tjetër e pozicioneve që garantojnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës mund të ndryshojë në krahasim me sezonin e kaluar. Betis, që vjen nga vendi i gjashtë, ka një shans 18.3% për të përfunduar në vendin e katërt dhe, për rrjedhojë, për të marrë një biletë për Ligën e Kampioneve.
Reali i Sociedadit, që këtë sezon do të luajë në Champions, sipas parashikimeve të “Opta”-s do të renditet i pesti (17.8%), Vijarreali i gjashti (15.4%) dhe Atletik Bilbao në vendin e shtatë (12.8%). Ajo që bie në sy nga shifrat e “Opta”-s është mbetja jashtë loje e Seviljes, fituese e Ligës së Europës në sezonin e kaluar dhe pjesëmarrëse në Champions në sezonin 2023-‘24.
PANORAMASPORT.AL