Uesli Shnajder e ka provuar shijen e tripletës në 2010-ën dhe e di mirë çfarë po përjetojnë lojtarët e Mançester Sitit që po kërkojnë të arrijnë diçka të tillë, por heroi i Interit të atij sezoni mendon se qytetarët nuk do ta kenë të thjeshtë, madje shkon deri aty sa parashikon edhe rezultatin final.
TRIPLETA – “Kur triumfuam ne në 2010-ën ishte diçka a jashtëzakonshme, sepse në nisje të sezonit askush nuk besonte se mund të fitonim gjithçka në fund të tij. Besimin e fituam me kalimin e kohës kur kuptuam sa të fortë ishim dhe nisëm të besonim se mund t’ia dilnim. Unë mendoj gjithsesi se tripleta jonë kishte diçka më të veçantë se ajo që mund të bëjë Siti. Anglezët janë duke kërkuar të njëjtën gjë dhe e di shumë mirë çfarë po përjetojnë. Të fitosh Champions-in pasi ke fituar dy trofe të tjerë është e jashtëzakonshme. Jam i bindur se lojtarët e Guardiolës janë tërësisht të përqendruar te fitorja dhe do të bëjnë çdo gjë për të”.
INTERI – “Nuk mendoj se do ta shohim Interin në sulm. Mendoj se do të shohim një skuadër, e cila do të jetë shumë e organizuar në çdo repart dhe do të presë sulmet e Sitit, që do të jetë ekipi, i cili është gjithmonë në ofensivë. Pastaj duhet pritur dhe duhet parë sepse nëse në fund të pjesës së parë do të jetë ndeshja 0-0, atëherë Interi mund të provojë shanset e tij dhe mendoj se do të ketë mundësi për ta bërë”.
HALAND – “Haland ishte copëza e vetme që i mungonte Sitit. Kishin vërtet nevojë për një golashënues dhe ai është i tillë. Është një lojtar që bën diferencën në sulm dhe ka shumë lojtarë teknikë rreth tij që e ndihmojnë të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shënojë”.
PARASHIKIMI – “Është e vështirë të parashikosh një finale? Unë mendoj se do të mbarojë 1-1 pas kohës shtesë dhe në fund do të vendoset nga penalltitë. Sigurisht që pas penalltive trofeun do ta ngrejë Interi që mendoj se i ka të gjitha shanset për ta bërë këtë”.
PANORAMASPORT.AL