Futbollistët e Paris Saint-Germainit kanë festuar në Munchen fitoren e madhe të arritur ndaj Interit në finalen e Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e luajtur të shtunën mbrëma në stadiumin “Allianz Arena”, ka përfunduar me rezultatin 5:0 në favor të skuadrës franceze.
Fitorja e Parisit ishte e thellë për shkak të paraqitjes fantastike që e tregoi ekipi i trajnerit Luis Enrique në fushë, duke dominuar gjatë tërë ndeshjes.
Dy gola në pjesën e parë dhe tre të tjerë në të dytën, konfirmuan fitoren bindëse të PSG-së kundër Interit.
Për Parisin, ky është një sukses historik duke pasur parasysh se është trofeu i parë i Championsit në histori të klubit kurse me këtë triumf, skuadra franceze e mbylli sezonin 2024/25 me “tripletë” pasi më herët ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Francës.
Achraf Hakimi (12’), Desire Doue (20’, 63’), Kvicha Kvaratskhelia (73’) dhe Senny Mayulu (87′) shënuan golat për fitoren bindëse te Parisit, skuadër që lëshoi edhe disa raste tjera të mira shënimi.
Në anën tjetër, Interi e mbylli sezonin pa asnjë trofe edhe pse ishte në garë jo vetëm për të triumfuar në Champions por edhe në Serie A, Kupën e Italisë dhe Superkupën.
Pasi e kaloi me sukses fazën e grupeve të formatit të ri të Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germaini në fazën nokaut gjatë rrugëtimit për në finale, e eliminoi Brestin, Liverpoolin, Aston Villan dhe Arsenalin, përpara se ta mposht edhe Interin në ndeshjen e fundit të këtij sezoni.
Për Interin, kjo është humbja e dytë në tri vjetët e fundit në finale të Championsit pasi para dy vjetësh u mposht edhe nga skuadra e Manchester Cityt.
Po ashtu, në finalen kundër Parisit te skuadra e Interit prej minutës së 70-të u inkuadrua Kristjan Asllani që zëvendësoi turkun Hakan Çalhanoglou.