Thursday, 5. February 2026
Sport

Partizani, 80 vjeç!

GS 04/02/2026 4 Min. Lesezeit

Partizani 80 vjeç! Kompleksi i futbollit të të kuqve, të mërkurën në mbrëmje, kishte marrë ngjyrat e festës. Jo vetëm legjendat, apo ato që bënë historinë e futbollit të Partizanit, por edhe figura të politikës, apo të Federatës Shqiptare të Futbollit në festën e të kuqve. Për presidentin e Partizanit, Gazmend Demi, 80-vjetori i themelimit të klubit të kuq flet vetë

“Nga 70 vjeç pa shpi, në 80 vjeç me shpi, a ka gëzim më të madh!”

Por cilat janë projektet e së ardhmes? I pari i Partizanit zbulon për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar…

“Të mbarojmë të gjithë kompleksin, ta çojmë Akademinë sa më lart. Të edukohet brezi i ri dhe kuptohet, ekipi i parë të jetë gjithmonë në vendin e parë”

Në festën e Partizanit ishte dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që e ka falënderuar familjen Demi për kontributin që jep në klubin e kuq. Një fanellë me mbishkrimin “80 vjet Partizani” është dhënë nga Duka për Gazmend Demi, ndërsa stadiumi i ri që do të ndërtohet do të jetë edhe në finalet e Kampionatit Europian U-21, 2027

“Patizani ka kontribute të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar. Nga themelimi e deri më sot ka kaluar në forma të ndryshme të organizimit dhe sot është një Shoqëri Aksionere e drejtuar apo me pronar të vetëm Gazmend Demin dhe familjen e tij. Nuk mund të rri pa falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar duke luajtur futboll për Partizanin”.

Partizani kampion? Demi e premton edhe një titull të tretë për të kuqtë, ndonëse i ka marrë dy të tillë në sezonin 2018-2019 dhe 2022-2023.

“Partizanin e kanë në dorë lojtarët dhe drejtorët që ta nxjerrin kampion, unë kam vetëm investimin”

Një sërë legjendash tregojnë Partizanin e tyre për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar.

Perlat Musta: “Nuk flas dot për Perlat Mustën, do flas për Partizanin. Partizani e bëri Mustën. Ne kishim fatin që në një periudhë kemi përfaqësuar këtë skuadër “.

Shpëtim Duro: Është hera e parë që vij te kompleks i ri i Partizanit, kompleks modern që mund të bëhet akoma më mirë. Jam shumë i kënaqur. Jam nga ata që kam dhënë kontribut në tre rezidencat e Partizanit: e para ka qenë të pallati i sportit, e dyta te ish-klubi dhe kjo është e treta. Kjo tregon 50-60 vjet pranë këtij klubi me funksione të ndryshme”.

Ylli Shehu: “Është një organizim dhe një ditë shumë e bukur. Përveç 80-vjetorit që jemi mbledhur, po bëhet dhe një takim me brezat. Ndjejmë kënaqësi duke parë figurat që kanë qenë para nesh, por dhe ato pas nesh. Të gjithë brezat këtu, diçka e bukur”

Sot sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, por Ilir Shulku ka luajtur 15 vjet me Partizanin duke qenë ndër kapitenët legjendarë. Ja dhe Partizani i tij

“Gjithë karrierën time kam luajtur me Partizanin dhe jam shumë krenar, uroj të bëhet siç e meriton, me titull kampion, me trofe, siç e meriton ky klub. Kam luajtur me dy breza, atë para 90-tës dhe atë pas 90-tës, por realisht kujtimet më të bukura i kam me brezin para 90-tës”.

17 tituj kampion kombëtar, 1 titull kampion në Kategorinë e Parë, 15 Kupa të Shqipërisë, 3 Superkupa të Shqipërisë, por dhe 1 titull Kampion Ballkani. Partizani flet me trofetë e tij në këtë 80 vjetor të themelimit të tij. E jo vetëm futboll, por dhe në historinë e tij me sportet e tjera.

Teilen: