Partizani e Elbasani, barazim i çmendur
Barazim i çmendur, 2-2 mes Partizanit dhe Elbasanit në javën e 22-të të “Abissnet Superiore”, në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport.
Ndodh gjithçka në “Arena e Demave”, ku u shënuan katër gola, u dha një karton i kuq, u shpërdorua një 11-metërsh, pa harruar dhe momentet e panikut, me Sembene që u shemb në fushë duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta.
Pas një loje më kërkuese nga ana e Partizanit, ishte Elbasani që arriti të gjejë rrugën e rrjetës me anë të Lajthisë, ndërsa në minutën e 26-të humbi shërbimin e portierit Janacek, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Skuadra e Gvozdenoviç kishte një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat, por Tsague gaboi nga pika e 11-metërshit.
Partizani reagoi katër minuta para fundit të pjesës së parë duke vendosur barazpeshën me anë të Skukës, ndërsa në pjesën e dytë përmbysi gjithçka me anë të Isgandarli.
Pas momenteve të panikut me Sembene të rënë pa ndjenja dhe ambulancës që futet në fushë për të dhënë ndihmën e parë, ndeshja filloi përsëri dhe Elbasani gjeti forcat për të shënuar golin e barazimit me anë të Lajthisë për një barazim përfundimtarë 2-2.
Elbasanasit ngjiten në kuotën e 39 pikëve, ndërsa të kuqtë në 27 pikë.