Partizani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme këtë javë përballë Bylisit, me tre pikë që e largojnë ekipin e drejtuar nga Oltijon Kërnaja nga zona e ftohtë dhe i japin mundësinë që të jetë pak më i qetë për të menduar për më lart.
Në një ndeshje pa shumë emocione, me pjesën e parë që nuk dhuroi asnjë gjuajtje në portë, Kërnaja e gjeti zgjidhjen duke aktivizuar Diego Kontreras, sulmuesin e ekipit B që luan në Kategorinë e Dytë.
Ashtu si ndaj Teutës ku ai nisi kthesën e Partizanit me dy gola, sot kolumbiani ishte në vendin e duhur në momentin e duhur, duke shtyrë sferën në rrjetë për të shënuar golin e fitores minimale, shumë të rëndësishme për ecurinë e të kuqve në këtë moment të sezonit.


