Monday, 9. November 2026
Sport

Pas imazhit të luftëtarit fshihet një dhimbje e madhe, Gattuso: Do jepja gjithë pasurinë për të kaluar një orë me motrën time

GS 09/11/2026 2 Min. Lesezeit

Gennaro Gattuso ka prekur zemrat e tifozëve me një rrëfim shumë emocionues për motrën e tij, Francesca, e cila u nda nga jeta në vitin 2020, në moshën vetëm 37-vjeçare.

Gjatë një interviste në Festivalin e Sportit në Trento, ish-futbollisti dhe trajneri italian nuk i ka mbajtur dot emocionet, duke kujtuar një nga humbjet më të dhimbshme të jetës së tij.

“Kam humbur një motër në moshë shumë të re. Do të jepja gjithçka që kam për të kaluar një orë me të”, u shpreh Gattuso, duke treguar se mungesa e saj vazhdon ta shoqërojë edhe sot.

Ai rrëfeu gjithashtu se një nga gjërat që e shqetëson më shumë është fakti se nuk arrin ta shohë motrën as në ëndrrat e tij.

Francesca Gattuso ndërroi jetë më 2 qershor 2020, në moshën 37-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Në atë periudhë, Rino ishte trajner i Napolit dhe humbja e saj e goditi rëndë.

Gjatë së njëjtës bisedë, Gattuso foli edhe për problemet e tij shëndetësore. Ai zbuloi se prej rreth 15 vitesh përdor kortizon për shkak të miastenisë okulare, një sëmundje autoimune që ndikon në shikim dhe që e detyroi të përfundonte karrierën si futbollist në moshën 34-vjeçare.

Një rrëfim që tregoi edhe një herë se pas imazhit të luftëtarit të njohur në fushën e futbollit fshihet një njeri që ka përjetuar dhimbje të mëdha personale.

Për Gattuson, trofetë dhe sukseset në futboll nuk mund ta zëvendësojnë kurrë mungesën e një njeriu të dashur.

Teilen: