Friday, 27. February 2026
Sport

Pas Mitrovicës, Prokuroria nis hetimet për duelin Ferizaj – Dukagjini

GS 29/05/2023 2 Min. Lesezeit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet pas dyshimeve për kurdisje të ndeshjes mes Ferizajt dhe Dukagjinit.

  

Lajmin e ka konfirmuar vetë Prokuroria në një përgjigje.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për të zbardhur në tërësi këtë rast,” kanë thënë nga Prokuroria për RTV Dukagjini.

Më herët për televizonin e konfirmoi edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, se kanë nisur hetimet për ndeshjen tjetër të dyshuar si e manipuluar asaj mes Trepçës’89 dhe Prishtinës.

Ai në një prononcim të shkurtë bëri të ditur se “Prokuroria ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin e rastit”.

Të dyja ballafaqimet përfunduan me rezultat identik 2-1 dhe në mënyrë të dyshimtë.

Mbrojtja e Prishtinës dukej se i hapi portën mitrovicasve pas minutës së 85’të për të përmbysur rezultatin në 2-1, teksa hapja e këmbëve në mënyrë të çuditshme nga portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, te goli i Astrit Fazliut në minutën e 105-të ishte tejet e habitshme.

Në fund, Ferizaj siguroi barazhin ku do të takohet më 4 qershor me Lirinë, ndërsa Trepça ’89 u rikthye në Ligën e Parë.

  


Teilen: