AC Milani ka marrë një fitore të madhe 1-0 ndaj Interit në Derby della Madonnina, por trajneri Massimiliano Allegri ka minimizuar shanset e skuadrës së tij për të sfiduar për titullin në Serie A.
Golin e vetëm të takimit në “Stadio Giuseppe Meazza” e realizoi Pervis Estupinan në minutën e 35-të, duke i dhënë Rossonerëve tri pikë shumë të rëndësishme dhe duke i afruar ata në shtatë pikë prapa rivalit të qytetit në renditje.
Milani ka arritur gjithashtu kuotën e 60 pikëve pas 28 ndeshjeve në Serie A, diçka që e ka bërë vetëm katër herë që nga sezoni 2009/10.
Megjithatë, pavarësisht këtij momenti pozitiv, Allegri insiston se Interi mbetet favoriti kryesor për titull.
“Interi ka shtatë pikë avantazh. Është një diferencë e madhe, ata janë ende skuadra më e fortë dhe favoritët e qartë”.
“Ne mund të kishim bërë më mirë dhe të ishim më të mprehtë në zonën e fundit në disa situata”.
“Mund të jemi vetëm të kënaqur, sepse e kemi mbajtur Juventusin në -10 pikë, ndërsa Como dhe Roma në -9 pikë. Ishte shumë e rëndësishme të merrnim rezultat sot”.
“Ne kemi punuar për shtatë muaj që të arrijmë në mars në gjendjen më të mirë të mundshme. Pikërisht tani luhen ndeshjet më të rëndësishme të sezonit dhe vendoset gjithçka”.
Allegri pranoi se skuadra e tij u detyrua të mbrohej më shumë pas pushimit, por beson se Milani e meritoi fitoren.
“Shpenzuam shumë energji në pjesën e parë, më pas Interi rriti ritmin dhe ne u detyruam të mbroheshim më thellë, duke i lejuar disa krosime”.
“Përveç rastit të Dimarcos në kundërsulm, nuk më kujtohen raste të pastra të Interit”.
“Edhe ne patëm disa situata të mira dhe mund të kishim shkuar në pushim me rezultatin 2-0”.
“Megjithatë duhet ta them përsëri: Interi mbetet favoriti i qartë për Scudetto. Kjo fitore na jep shumë moral”./Telegrafi