Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved, ka vlerësuar Kosovën si një test të mirë për Republikën Çeke para Kampionatit Botëror 2026.
Ndryshe nga Dardanët, që nuk arritën të kualifikohen për Botëror, Çekia siguroi pjesëmarrjen pas fitores ndaj Danimarkës në penallti. Kosova do të jetë mysafir e Çekisë më 31 maj, dhe Nedved, në rolin e tij si menaxher i Federatës Çeke, e ka konsideruar këtë ndeshje si një përgatitje të rëndësishme për Botërorin.
“Mezi presim të kthehemi në ‘Letna’, ku fituam finalen e play-offit ndaj Danimarkës në mars, falë përkrahjes së madhe nga tifozët tanë. Besojmë se atmosfera do të jetë e shkëlqyer edhe për ndeshjen ndaj Kosovës, që është e fundit para udhëtimit për në Kupën e Botës. E shohim si një test të mirë dhe mundësi për t’u thënë tifozëve ‘mirupafshim’ para Botërorit”, deklaroi Nedved.
Përveç ndeshjes ndaj Çekisë, Kosova më 7 qershor do ta presë Andorrën në Prishtinë, si miqësoren e dytë dhe të fundit këtë muaj.
Kosova do të nisë ciklin kualifikues për Ligën B të Ligës së Kombeve në shtator, ku ndodhet në grup me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.