Pas përfundimit të xhiros së parë të Superligës së Kosovës në basketboll, federata të martën ka publikuar lojtarin e javës dhe pesëshen.
Amerikani i Trepçës, Ja’Cori Payne është shpallur “MVP i Javës” pasi udhëhoqi kampionen në fuqi, drejt fitores në udhëtim te Rahoveci 029.
Payne ndeshjen e mbylli me indeksin 31 që ishte më i larti i kësaj xhiroje, duke realizuar 25 pikë, 7 kërcime e po aq asistime.
Krahas Payne të Trepçës, pesëshja e xhiros së parë, përbëhet edhe nga Samir Zekiqi i Rahovecit 029, Laolu Oke i Borës dhe dyshja e Bashkimit, Shannon Shorter e Lejson Zeqiri.
Zekiqi pati 30 pikë e 4 asistime në humbjen e Rahovecit 029 derisa Oke, Shorter e Zeqiri ishin më efikasit në triumfin e skuadrave të tyre.
Oke regjistroi 12 pikë e 11 kërcime në fitoren e Borës ndaj Vëllaznimit, ndërsa në fitoren e Bashkimit ndaj Golden Eagle Yllit, Shorter pati 16 pikë, 1 kërcim e 1 asistim kurse Zeqiri shtoi 17 pikë, 4 kërcime e 1 asistim.