Pedri u rrit në Tenerife mes fotove të Barcelonës, ndeshjeve dhe futbollit. Kur firmosi me klubin katalanas, babai i tij, që kishte hequr dorë nga karriera si portier për të mbajtur biznesin familjar, i tha me shaka: “Babi, tani duhet të sigurohesh që të mos harroj çorapet e Barcelonës”.
Para Barçës, Pedri provoi tek akademia e Real Madridit, por pas një jave u kthye në shtëpi. E cilësoi si një “kurë përulësie”. Më pas shpërtheu te Las Palmas dhe mori rrugën drejt Barcelonës.
Në stërvitjen e parë në “Ciutat Esportiva”, sapo hapi derën e zonës së lojtarëve, përballë iu shfaq Lionel Messi: “Fjalë për fjalë, personi i parë që pashë ishte Leo. Ishte përballë meje. Mbeta pa fjalë. U përpoqa të prezantohesha, por nuk e di çfarë thashë. Ai vetëm buzëqeshi dhe më tha të qetësohesha e të hyja në dhomat e zhveshjes”.
Pedri dhe Trincão, të ardhur në të njëjtën kohë, ndiheshin në siklet përballë Busquets, Piqué, Jordi Alba e Messit: “Për disa ditë qëndronim në palestër pas stërvitjes, sepse na vinte shumë turp të hynim në dhomat e zhveshjes me gjithë ato legjenda”.
Në fund, Messi i ftoi vetë: “Hej, çfarë bëni këtu? Ejani brenda me ne”. Ai i shoqëroi dhe u tregoi ku të uleshin: “Ishim si dy këlyshë… Pyesnim: A mund të ulemi këtu?”