Problemet nuk kanë të sosur për mesfushorin e Barcelonës, Pedri Gonzalez. Heroi i katalanasve në suksesin e javës së dytë në La Liga kundër Kadizit është “thyer” sërish dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave deri në muajin tetor.
Klubi i Barcelonës njoftoi të enjten se Pedri ka pësuar një dëmtim në pjesën e përparme të këmbës së djathtë dhe do të jetë jashtë në pritje të evolucionit të tij. Mesfushori nga ishujt Kanarie pësoi të njëjtin dëmtim më 16 shkurt kundër Mançester Junajtidit në Ligën e Europës dhe iu desh të qëndronte për afro dy luaj larg fushave.
Siç ka mësuar “MD”, parashikimi është që Pedri të mungojë të paktën një muaj e gjysmë nga gara për shkak të dëmtimit të ri të muskujve, kështu që rikthimi i tij nuk do të bëhej deri në mes të tetorit. Dëmtimi i Pedrit i bashkohet atij të Ronald Arauhos, me uruguaianin që ka shfaqur probleme në bicepsin e këmbës së majtë. Si Pedri dhe Arauho janë dy nga pikat më të forta të Barcelonës dhe një dhimbje koke më shumë për trajnerin Ksavi Hernandez.
Ai i konsideron të dy si lojtarë kyç në skuadër dhe do të duhet të kalojë disa javë pa të dy. Që nga sezoni i tij i parë si lojtar i Barcelonës, Pedri ka pasur disa dëmtime muskulore që e kanë penguar atë të ketë vazhdimësinë e dëshiruar.
OBJEKTIVI ËSHTË “KLASIKJA” – Pedri do të mungojë në disa ndeshje të rëndësishme në fillim të sezonit, duke përfshirë dy takimet e para të fazës së grupeve të Champions League. Siç bëjnë me dije mediat spanjolle pranë Barcelonës, qëllimi i mesfushorit është që ai të arrijë në gjendje të plotë në “Klasiken” e 29 tetorit kundër Real Madridit në “Stadiumi Olimpik Montjuiç”.
Deri atëherë do të kenë kaluar dy muaj nga dëmtimi i fundit i Pedrit, kështu që nëse riaftësimi i tij nuk do të shfaqë ndërlikime, ai do të ishte gati brenda afateve. Ksavi e di fare mirë situatën e mesfushorit dhe kurrsesi nuk do të rrezikonte për të shpejtuar riaftësimin e tij.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL